Vetëm gjatë muajit shkurt, 1687 emigrantë që jetonin në Greqi në mënyrë të jashtëligjshme janë larguar  nga Greqia.

Zyra e Emigracionit në ministrinë greke të Mbrojtjes së Qytetarit dha statistikat dhe në krye të listës janë shqiptarët me 867 persona.

Autoritetet greke sqarojnë se të gjithë shtetasit e sipërpërmendur kanë pranuar të riatdhesohen në kuadër të programit të ri të atdhesimit të organizates botërore të emigracionit.

Ata shmangin kështu sanksionet që zakonisht iu vendosen emigrantëve të paligjshëm që ndalohen nga autoritetet, siç është ndalimi i hyrjes në të ardhmen në zonën Shengen, ose dënime me disa muaj burg.

Me marrjen e një biletë avioni dhe një shumë të hollash për të përballuar disa ditë shpenzime në vendet e origjinës, shumë emigrantë pranojnë të kthehen me dëshirë në atdhe, pasi kushtet e qëndrimit në Greqinë e pllakosur prej krizës ekonomike të viteve të fundit, konsiderohen si tepër të vështira dhe të papërballueshme.

Në Greqinë e para krizës jetonin më shumë se 1 milion emigrantë, shumica e tyre shtetas shqiptare. Tashmë numri i tyre llogaritet në afërsisht 750-800 mijë. Por me fillimin e krizës dhe papunësinë e lartë që mbetet në mbi 26 përqind, për një emigrant të pa ligjshëm, mundësia e mbijetesës vlerësohet si e pamundur.

Ashtu si edhe shumë grekë, për mijëra emigrantë që janë pajisur me leje shumëvjeçare qëndrimi, ose me nënshtetesi greke, kanë filluar të largohen drejtë vendeve të Europës Perëndimore, kryesisht drejt Britanisë së Madhe,Suedisë dhe Gjermanisë, ndërkohë që vazhdon ende operacioni për shpërndarjen e emigrantëve sirianë në vende të ndryshme të Europes.

Vetëm në vitin 2016, më shumë 19.000 emigrantë të jashtëligjshëm pranuan të kthehen vullnetarisht në vendet e origjinës, ndërsa për këtë vit mendohet se numri i të kthyerve do të jetë edhe më i lartë, sidoms pas mbylljes se rrugës ballkanike për emigrantët që u largoheshin zonave të luftës në Irak dhe Siri.

Top Channel