“Antimafia”, konfiskohen pasuritë 200 milionë lekë të Dashamir Gjokës

04/03/2017 00:00

Një vit pasi kërkoi sekuestro preventive mbi disa pasuri të Dashamir Gjokës, në kuadër të ligjit “Antimafia”, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur konfiskimin e tyre, vlera totale e të cilave është 200 milionë lekë.

Hetimi pasuror, në kuadër të ligjit “Antimafia”, nisi ndaj këtij shtetasi nga Prokuroria për Krime të Rënda, pas dyshimeve se ai i kishte krijuar pasuritë në bazë të të ardhurave të krijuara nga aktiviteti kriminal që ka kryer në Itali.

Në bazë të dokumentacionit të siguruar nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se me vendimin e Gjykatës së Apelit të Milanos, Itali, të datës 02.11.2007, shtetasi Dashamir Gjoka është dënuar me 10 vjet dhe 6 muaj burgim, për vepra penale që nga ligji penal shqiptar parashikohen si veprat penale “shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “trafikimi i personave”, të parashikuara nga nenet 114 dhe 110/a të K.Penal, duke qënë në këtë mënyrë subjekt i masave parandaluese pasurore të ligjit nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, pra ligjit “Antimafia”.

Të sekuestruara janë kompleksi Gjoka në Durrës, një arë me sipërfaqe 4639 m2, truall me sipërfaqe 1247 m2 dhe 230 m2. Gjithashtu dhe një ndërtesë me sipërfaqe 710 m2.

Një tjetër sipërfaqe trualli prej 928 m2 dhe ndërtesë dy kate me sipërfaqe 229 m2 janë konfiskuar, si dhe shoqëria “Gjoka” sh.p.k me gjithë asetet e saj.

Gjatë procesit gjyqësor rezultoi se pasuritë në zotërim të Dashamir Gjokës nuk i përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave, fitimeve apo veprimtarive të ligjshme të deklaruara prej tij, dhe se personi i mësipërm nuk arriti që të provojë dhe të justifikojë burimin e ligjshëm të pasurive në zotërim të tij.

Top Channel