Babai i një komandoje amerikan të ekipit “Navy Seal” të vrarë gjatë një bastisjeje të një kompleksi të dyshuar si të shfrytëzuar nga al-Qaeda në Jemen gjatë muajit të kaluar, është shprehur se ka refuzuar të takohet me presidentin amerikan Donald Trump, kur trupi i pajetë i të birit mbërriti në shtëpi.
“Më vjen keq, nuk dua ta shoh atë”, rrëfehet se i kishte thënë priftit në ato çaste.
Bastisja e 28 janarit ishte i pari operacion i tillë i autorizuar nga presidenti Trump. Bill Owens, djali i të cilit William “Ryan” Owens mbeti i vrarë, ka thënë për “Miami Herald” se “qeveria është e detyruar të zhvillojë një hetim për vrasjen e djalit tim”.
“Pse u desh të kryhej në këtë kohë ky mision idiot, kur nuk ishin bërë as edhe një javë që ai kishte marrë frerët e administratës presidenciale? Pse?”, thotë babai i të ndjerit në një intervistë me gazetën, të publikuar ditën e dielë.
“Deri dy vite më parë nuk kishte shkelur këmbë ushtari në Jemen, gjithçka kryhej me raketa dhe ‘drone’, sepse aty nuk kishte asnjë objektiv që t’ia vlente humbjen e jetës së një amerikani. Tashmë papritmas na u desh të jepnim këtë shfaqje madhështore?”.
Sulmi, i aprovuar nga presidenti Trump vetëm 6 ditë pasi kishte marrë detyrën, besohet të ketë lënë të vrarë disa civilë, përfshi edhe fëmijë. Veç komandos së vrarë, edhe 3 amerikanë të tjerë u plagosën nga ajo bastisje, planifikimi i së cilës kishte nisur nën administratën “Obama”.
Një raport në “New York Times” pretendon se misioni ishte kompromentuar më herët, diçka që komandot e kishin mësuar nga përgjimi i komunikimeve, thotë gazeta.
“Ata e dinin që në fillim se ishin të detyruar”, citohet nga gazeta të ketë thënë një ish-zyrtar i “Seal Team 6”. Por ushtria e kundërshton këtë raport, duke thënë se nuk kishte asnjë provë se misioni ishte kompromentuar.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders tha të dielën se, besonte që presidenti Trump do ta mbështeste një hetim të mundshëm të kësaj ngjarjeje.
“Misioni ka pasur shumë kritika, por ai ka dhënë një sërë informacionesh dhe burimesh të rëndësishme, që ndihmuan në shpëtimin e jetëve të tjera amerikane dhe shtetas të tjerë”, tha ajo.
Owens, nga ana e tij, tha se kishte marrë informacion se i biri ishte vrarë më herët gjatë një dyluftimi të ashpër me armë, që nisi me militantët e AQAP.
Top Channel