I pranishëm në çeljen e Ministerialit të Kulturës me titull “Nxitja e kulturës për zhvillim të qëndrueshëm”, kryeministri Edi Rama, në aktivitetin tha se është me rëndësi që të gjejmë rrugët për të influencuar sa më shumë qeverisjen në nivel qendror e vendor, në funksion të së bukurës, në raportin jo vetëm me trashëgiminë, por edhe si përfitim.
“Shpesh ndeshem me një kritikë vulgare, që lidhet me programin tonë të Rilindjes Urbane, që në thelb është një program që synon të ringjallë një raport me të bukurën në hapësirën publike. Një kritikë të tipit “ne jemi pa bukë, ju investoni për fasada” ose “ne jemi pa ujë, ju investoni për ndriçim. Por, nuk ka vende të shëmtuara dhe me mirëqenie”, tha kryeministri.
Më tej, Rama shtoi se “e bukura është shumë e rëndësishme në raport me nevojën tonë për të pasur një marrëdhënie harmonike mes njerëzve të komunitetit, me ligjet e komunitetit dhe për zhvillimin e qëndrueshëm”.
“Të rrisësh buxhetin për kulturën është gjithnjë relative, sepse nuk është asnjëherë mjaftueshëm, por unë besoj se aty ku është e mundur është gjithmonë më përfituese për shoqërinë, për zhvillimin e vendit, që në vend që të bësh 1 km infrastrukturë, të mbrosh, të shpëtosh apo të restaurosh një objekt të trashëgimisë kulturore”, shtoi Rama.
Ministra të rajonit, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, nënshkruan gjatë konferencës edhe një marrëveshje bashkëpunimi.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, tha: “Në këtë deklaratë ka edhe një konfirmim për të bashkëpunuar përtej trashëgimisë kulturore, në fushën e industrisë kreative, për ta pajisur këtë bashkëpunim me axhenda konkrete”.
Ministeriali mbledh për herë të parë në Tiranë ministrat e Kulturës nga Europa Juglindore.
Top Channel