
Qeveria e Kosovës është duke pritur kthimin e përfaqësuesve të “Listës Serbe” në komisione dhe në Kuvend, për të filluar bisedimet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Këtë e ka konfirmuar zyra e kryeministrit të vendit, ndërsa subjektet opozitare vazhdojnë ta kundërshtojnë themelimin e Asociacionit, të cilin e konsiderojnë si projekt për defunksionalizimin e shtetit.
Opozitarët thonë se Asociacioni mund të themelohet vetëm si organizatë joqeveritare dhe pa kompetenca ekzekutive, në të kundërt thonë se do ta kundërshtojnë fuqishëm jetësimin e këtij projekti.
Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, ka thënë për “Zërin” se, zyra e kryeministrit është vazhdimisht në kontakte me përfaqësuesit e “Listës Serbe” dhe janë në pritje të kthimit të këtij subjekti në institucionet kosovare për të filluar bisedimet për themelimin e Asociacionit.
“Ne po bisedojmë në vazhdimësi me përfaqësues të niveleve të ndryshme të ‘Listës Serbe’. Ne presim që ‘Lista Serbe’ të kthehet, në mënyrë që të fillojmë bisedimet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, ka deklaruar Gecaj, duke shpresuar që ky subjekt politik të kthehet sa më shpejt në institucione.
Top Channel