Xhafaj: Ja shkeljet e Llallës dhe KLD-së

20/02/2017 00:00

Fatmir Xhafaj këmbëngul se Prokurori i Përgjithshëm dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë shkelën ligjin në lidhje me kandidaturat për Këshillin e Përkohshëm të Emërimeve.

Ai tha se nuk kontestohen procedurat e ndjekura nga Meta.

“Nuk kontestojmë procedurën, por listat që u sollën për hedhjen e shortit dhe që nuk dhanë mundësinë e konkurrimit dhe të zgjedhjes. Kushtetuta ka parashikuar një procedurë të veçantë për fazën e ndërmjetme, jo për Këshillin e Përhershëm. Këshilli i Përhershëm do të funksionojë me ngritjen e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Këshilli i parë është ky i përkohshmi jemi për një këshill të përkohshëm, jo për atë të përhershmin. Pra janë aplikua rregullat për Këshillin e Përhershëm, në rastin e këshillit të përkohshëm që parashikojnë vetëm kufizimin që të kandidatët të mos kenë masë disiplinore”, tha në Top Story Fatmir Xhafaj.

Deputeti socialist shtoi se nuk mund të thotë nëse kjo është pasojë e keqinterpretimit të ligjit apo e qëllimshme, por thotë sesi Prokuroria e Përgjithshme ashtu edhe KLD ishin në dijeni të kushteve që përcaktohen nga dispozitat provizore. 

“Prokurori në letrën e dërguar në gusht për Presidentin, thotë se vetëm dy emra nuk nuk plotësonin këtë kusht, që kishin masa disiplinore. Vetë këto dy organe e kanë pranuar dhe u janë referuar dispozitave tranzitore”, deklaroi Xhafaj.

Ai nuk përjashtoi mundësinë që këtë çështje ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Është herët për të folur për këtë gjë, por unë besoj dhe prisja një tjetër reflektim nga zoti Llalla dhe KLD për shkak se argumentat që ne kishim dhënë ishin të qarta. Arsyeja që e ka shtyrë zotin Llalla për këtë qëndrim nuk janë bindëse dhe nuk janë ligjore, por ka kohë dhe mundësi për të bërë reflektim për këtë çështje’, nënvizoi Xhafaj.

Xhafaj thotë se struktura e re e drejtësisë është e thjeshtë, por komplikohet me qëllim.

“Presioni dhe kundërshtitë, interesat, lufta që po bëhet për ta vonuar zbatimin krijon dhe perceptime të tilla që flet për një gjë të ngatërruar. Është edhe e qëllimshme ndonjëherë për ta paraqitur në mënyrë të tillë”, tha ai.

Marrëveshja e 21 korrikut i hapi dritën jeshile marrjes së 140 vota të ndryshimeve kushtetuese në Parlament, por për Fatmir Xhafajn kjo marrëveshje ishte një hap pas dhe për këtë jep një arsye.

“Mjë hap pas në reformën në drejtësi sepse përfshiu partitë politike në këtë proces vendimarrjeje”, tha ai. 

Top Channel