
Është bukur të shohësh në skenë 5 burra, që luajnë rolin e 5 djelmoshave rrëth të 11-ave. Të hysh në lëkurën e fëmijëve dhe të zbulosh skutat e errëta të tyre. Vepra sllovene “Pesë djelmoshat” vjen premierë në Teatrin Kombëtar me regji të Helidon Finos.
“Kjo është një vepër shumë e vlerësuar e autores sllovene, Simona Semeniç, vepër që ka fituar çmimin më të lartë në Slloveni. Është globale, sepse trajton problematikën e ndjeshmërisë që duhet të kemi të gjithë ne të rriturit, prindërit ndaj fëmijëve të tyre”, thotë Helindon Fino, regjisor.
Vepra është shkruar si një dramë, por Fino ka zgjedhur ta vendosë në skenë më shumë në formën e komedisë së zezë. Nëpërmjet kësaj do të shohim Helidon Finon për herë të parë si regjisor.
Sa i përket 5 “djelmoshave”, ata rrëfejnë pak nga bota e tyre.
“Vini është një nga djemtë e pesëshes, bën edhe disa lojëra të fshehta në shtëpi që ka turp t’ia tregojë të tjerëve”, thotë Genti Deçka, aktor.
“Vlashi është djalë drejtori dhe bën shumë kurse”, thotë Dritan Boriçi, aktor.
“Kristofori është ai, për të cilin ka më pak informacion nga të gjithë djemtë e pesëshes”, thotë Nertan Liçaj, aktor.
“Unë jam Gjergji. Personazhi im ka shumë fantazi, i dashur me shokët”, thotë Gent Hazizi, aktor.
“Te Nisi ka gjithmonë një përpjekje për të organizuar dhe për ta çuar më tej lojën”, thotë Laert Vasili, aktor.
Premiera vjen që prej 24 shkurtit në Teatrin Kombëtar.
Top Channel