
“E vetmja gjë më e bukur se një kitare, janë dy kitara”, ka thënë Frederic Chopin.
E në gjurmët e kësaj thënieje, profesor Denis Bizhga ka marrë përsipër të organizojë ‘Guitar Sounds Festival”; një event muzikor i kombinuar me “masterklas” për gjimnazistët e Liceut Artistik për të shkëmbyer jo vetëm eksperiencë me kitaristë me përvojë, por edhe për të mësuar prej tyre.
“Në rastin e festivalit që unë e quaj në shqip ‘Tingujt e kitarës’ kemi tre artistë që vijnë nga Kosova, tjetri nga Belgjika dhe i treti nga Manchester-i. Janë të tre profesorë kitare. Gjithashtu kanë edhe jetën e tyre artistike si instrumentistë solistë, duke dhënë koncerte në disa vende të Europës”, tha Denis Bizhga, shef i Departamentit të Kitarës, shkolla “Jordan Misja”.
“Nxënësit janë shumë më përpara se ne. Kanë kushte më të mira, kitara më të mira e sidomos profesorë më të mirë. Kur ne kemi mësuar kanë qenë të paktë profesorët për këtë punë. Studentët janë shumë të talentuar, por i duhet më shumë përkrahje”, shprehet Drilon Cocaj, kitarist.
Klasike, akustike apo elektrike, sido që të jetë, tingujt që dalin nga ky instrument janë gjithnjë të dashura.
“Festivalet e kitarës janë identiteti i një qyteti që ka kulturë muzikore. Kitara klasike është fillesa. Është një instrument që i lidh njerëzit. Fakti që ka shumë zhanre gjithmonë e bën të pranueshëm”, shprehet Denis Bizhga.
Tre ditët e festës me tinguj kitare do të nisin të enjten në mbrëmje deri të shtunën në Teatrin e Metropolit.
Top Channel