
“Familja Tot” ka mbërritur në katër shfaqet e fundit duke filluar nga mbrëmja e së enjtes në Teatrin Kombëtar. Një shfaqe që ka patur një vlerësim pozitiv në tërësinë e saj, por edhe në role të veçanta.
Bujar Asqeriu, në rolin e Totit e ka personifikuar në një mënyrë të tillë karakterin sa e ndien ata edhe kur e shpjegon se sa e pëlqeu që në lexim këtë personazh.
“Më intrigoi shumë personazhi i Tot, një familjar i rregullt i mbyllur në këtë provincë me familjen e vet dhe që ka dy fëmijë, djalin e ka ushtar; me merakun e të birit”, shprehet aktori Bujar Asqeriu.
Kjo është një kryevepër e autorit Orkeny Istvan dhe është sjellë nga regjisorja Andia Xhunga, e cila ka vendosur ka bërë një shpërndarje të mirë të aktorëve. Mbase jo rastësisht peshën më të madhe të shfaqjes e mban bashkëshorti i saj Indrit Cobani. Për hir të së cilit familjarit Tot i duhet të shndërrohet për të ndihmuar djalin e tij në front.
“Atëherë kur njeriu dhe të tjerët mendojnë se mund ta shkelësh me këmbë personalitetin, dinjitetin e një njeriu, pikërisht në atë moment ai mund të bëjë reagime të çuditshme, të fuqishme, për të vënë në vend personalitetin e tij”, thotë Bujar Asqeriu.
Shfaqja ka udhëtuar edhe në Teatrin Kombëtar të Prishtinës dhe ka patur edhe aty një pritshmëri të mirë. Megjithëse edhe notat kritike kanë qenë prezente.
“Kur një njeri vendos të bëjë një kritikë apo një sugjerim, duhet të sjellë argumentin”, thotë aktori.
Ndërkohë që sa i përket premirës së vetme përgjatë shkurtit në Teatrin Kombëtar “Makbeth”, publikut i duhet të presë për sezonin tjetër.
Top Channel