SHBA mesazh urimi Kosovës, për Pavarësinë

15/02/2017 00:00

Shtetet e Bashkuara të Amerikës urojnë Kosovën për festën e pavarësisë. Në një mesazh të publikuar disa ditë para 17 shkurtit, në faqen e Departamentit Amerikan të Shtetit, sekretari i shtetit Tillerson uron Kosovën në emër të Presidentit Trump dhe popullit amerikan.

“Shtetet e Bashkuara çmojnë miqësinë e fuqishme me Kosovën, të bazuar në aspiratat e përbashkëta për stabilitet, paqe dhe prosperitet për të gjithë qytetarët tanë”, thuhet në mesazh.

Më tej në urim përmendet progresi në zhvillimin e institucioneve demokratike e shumetnike gjatë nëntë viteve të pavarësisë, por edhe medalja e parë e artë olimpike e Kosovës dhe ndeshjet e përfaqësueses kosovare si antëare e FIFA-s. 

“Ne presim arritje të vazhdueshme nga Kosova, teksa ajo po punon për të forcuar sundimin e ligjit, për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm, dhe për të ndërtuar marrëdhënie pozitive me fqinjët e saj dhe me vendet e tjera në botë” thuhet në urimin e sekretarit Tillerson.

Top Channel