Rosella Pellicioti është 22 vjeç dhe studion në degën e Koreografisë në Akademinë e Arteve. Ajo ka lindur në Greqi nga një nënë shqiptare dhe baba italian, por veten e ndien tërësisht shqiptare dhe dëshiron që talentin e saj në balet ta shfaqë në skenat tona.

“Gjithë këto vite kam lëvizur ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë. Në Greqi kam jetuar shumë pak, deri në moshën 5-vjeçare. Më shumë e ndiej veten shqiptare, sepse më shumë këtu kam jetuar, këtu kam bërë shkollën, këtu jam trajnuar”, thotë Rosella.

Së bashku me Roberto Nuhen, Rosella sjell baletin kontemporan “Lulet e dimrit”, bazuar mbi kompozimin e Bledi Borakut dhe Mardit Lleshit. Të jesh çift apo të jesh vetëm? Dilema zbërthehet përmes koreografisë, në emocionin dhe ndjesinë e marrëdhënieve mes njerëzve, plotësuar nga një videoprojektor, që e bën edhe më të vështirë përshtatjen e lëvizjeve në të njëjtën kohë me shfaqjen e imazheve.

“Si të jesh vetëm, si të jesh me dikë tjetër ka edhe avantazhe, edhe disavantazhe. ‘Lulet e dimrit’ është një shfaqje kërcimi bashkëkohor, që vjen në formën e teknikave që përdoren nëpër botë e në Europë. Ka si subjekt marrëdhënien në çift, një marrëdhënie problematike, me situata konfliktuale që alternohen me situata paqeje, si në realitet, si në çdo marrëdhënie në një çift të vërtetë”, tha Rosella Pelliciotti, balerinë.

Dilema që shqetëson balerinët, por jo vetëm, do të shfaqet në datat 17 dhe 19 shkurt në Teatrin e Metropolit.

Top Channel