
Tirana do të ofrojë mundësi argëtimi nga më të ndryshmet me rastin e festës së të dashuruarve. Dikush mund të vendosë drynin si simbol të lidhjes së përjetshme të ndjenjave ose mund të argëtohet me artin e kulturen gjatë mbrëmjes.
Kryebashkiaku i natës së kryeqytetit dhe stafi i tij po përpiqen prej disa kohësh tashmë që t’i japin një impuls tjetër jetës së orëve të vona në Tiranë nëpërmjet aktiviteteve sociale kulturore e artistike, nga të cilat nuk u përjashtua as Shën Valentini.
“Duam të rikthejmë në Tiranë historinë e muzikës së mirë. Do të ketë galeri me 4 piktorë. Fillohet nëpër cepat e Tiranës dhe mblidhet në qendër. Sot është një ditë e bukur për të dalë në Tiranë nëse është një ditë që ka zgjedhje për të dalë në qytet, ajo është pikërisht sot. Mund të bësh një aperitiv, mund të shohësh një galeri duke filluar që në orën 7”, tha Briken Fejzullai.
Kryeqyteti sot feston me moton “Tirana dashuron”…
“Dashuria është universale. Nuk është thjesht një çift që dashurohet, por është një ndjenjë për qytetin, për muzikën, për artin, për kinemanë. Nëse dashuron qytetin tënd, dashuron gjithçka”, thotë më tej Fejzullai.
Jeta e natës, mund ta kthejë qytetin, në qëndrën më të madhe të rajonit për jetën e saj sociale e kulturore, duke i dhënë shtysë pse jo edhe ekonomisë së Tiranës.
“Idea është që të zhvillojmë qytetin në disa dimensione, jo vetëm në një. Domethënë të mos bëjmë vetëm festa tek Piramida dhe të gjitha festat të përsëriten tek Piramida. Ajo që ne duam është që ti japim më shumë forcë Tiranës si forcë atraksioni rajonale. Këtë do e bëjmë duke reklamuar eventet edhe në Maqedoni, edhe në Kosovë duke marrë nga këto vende artistë të shkëlqyer dhe që kanë ndjekës pa fund”, vijon Brikeni.
Top Channel