
Zbulime të pasurive nënujore të 10 viteve kërkime janë prezantuar në një ekspozitë fotografike në pedonalen e kryeqytetit. Gjetjet e ekspeditës amerikano-shqiptare shtrihen nga shekulli i VII para Krishtit, deri pak pas Luftës së Dytë Botërore dhe i prezantohen publikut si një kambanë alarmi për ruajten e pasurive të tilla, në një kohë kur ende legjislacioni shqiptar ka mungesa për mbrojtjen e botës nënujore.
“Mendova se do të ishte një mënyrë interesante për të tërhequr vëmendjen ndaj ruajtjes së trashëgimisë kulturore nënujore, krijimit të legjislacionit dhe ruajtjes, por atraksioni më i madh është zhvillimi i turizmit kulturor nënujor. Bota këto lloj pasurish i shfrytëzon për t’i kthyer në mënyra ekonomike, ndërsa ne kemi shumë dhe nuk dimë as t’i ruajmë, as të përfitojmë prej tyre”, tha Auron Tare, drejtor i Agjencisë së Bregdetit.
Gjetjet nënujore po ndihmojnë për ballafaqimin e fakteve me historinë.
“Gjetjet tregojnë se burimet antike kanë një kontradiktë në ato që ne po gjejmë në ujë. Brigjet e Ilirisë antike nuk kanë qenë të populluara vetëm nga popullsi pirate, por fakti që shumë anije tregtare po zbulohen pranë brigjeve me verë, vaj e produkte të tjera, tregon për një shkëmbim tregtar të Ilirisë me vendet e tjera të Mesdheut”, tha më tej Tare.
Auron Tare shton se, në pritje të rregullimit të legjislacionit së trashëgimisë nënujore, harta ku ndodhen zonat e zbuluara do t’i dorëzohet policisë, në mënyrë që të ushtrojë kontroll për të mos lejuar zhytjen në zona të caktuara.
Top Channel