Pas 2 muajsh përzgjedhjeje 40 janë artistët e rinj nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët do të përfaqësojnë Shqipërinë në edicionin e 18 të Bienales së Mesdheut.

“Ka qenë një proces goxha i gjatë që është kryer me shumë sukses nga drejtori artistik bashkë me grupin e kuratorëve. Kanë bërë një punë shumë të madhe seleksionuese. Grupi ka përzgjedhur 32 artistë që përfaqësojnë Shqipërinë dhe lajmi tjetër i mirë është që për të parën herë kemi edhe nga Kosova rreth 8 artistë që përfaqësojnë skenën artistike të Kosovës”, u shpreh Mirela Kumbaro.

Artistë nga 21 vende do të përformojnë mes Tiranës dhe Durrësit, duke kthyer në një ngjarje ndërkombëtare këtë event për Shqipërinë mikpritëse.

“Ne jemi si urë lidhëse në këtë moment. Ne nuk kemi pretendimin të konkurrojmë me Bienalen e Venezias, por ne duhet të themi se shumica e artistëve në Bienalen e Venezias kanë kaluar nga Bienalja e Mesdheut. Bienalja e Mesdheut funksionon jo për t’i vënë kurorën artistit, por për ta promovuar, për ta ndihmuar për të filluar një rrugëtim shumë të gjatë e të bukur”, tha Driant Zeneli, Drejtor Artistik i Bienales së 18 të Mesdheut.

Koncepti i Bienales se 18 të Mesdheut është shtëpia, e ndërtuar mbi 4 elementë: historinë, konfliktin, ëndrrën dhe dështimin.

Top Channel