Restaurimi i objekteve historike të Kaninës

11/02/2017 00:00

Do të nisë së shpejti restaurimi i objekteve historike në fshatin Kaninë të Vlorës.

Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me Bashkinë e Vlorës kanë bërë gati projektin që do të evidentojë e më pas ndërhyjë në të gjtiha objektet e trashëgimisë kulturore në këtë fshat, duke filluar nga Kalaja e Kaninës, në sheshin kryesor të fshatit, për t’u shtrirë më pas në rrugën që lidh fshatin me qytetin e Vlorës.

Kryebashkikaku i Vlorës, Dritan Leli tha se ky projekt do të jetë një vlerë e shtuar për zonën si dhe do të ndikojë në rritjen e numrit të turistëve.

“Jemi sot këtu për një gjë të re, për t’i dhënë jetë sheshit qendror të Kaninës, një kërkesë e historisë në radhë të parë dhe një kërkesë për t’i shfaqur vlerat vendit që ka më së shumti vlera në Bashkinë e Vlorës, siç është Kanina me historinë e saj dhe kalanë”, tha Leli.

Drejtoreja e Monumenteve të Kulturës, Arta Bollani shpjegoi me detaje projektin dhe objektet që do të rijetëzohen duke nxjerrë në pah vlerat dhe trashëgiminë kulturore të zonës.
“Do të bëjmë një projekt sektorial, ku përfshihet infrastruktura, lidhja me Kalanë e Kaninës, kompleksin e tyrbes dhe teqes, me qendrën historike që do ta shpallim së shpejti për ta kthyer Kaninën në një qendër kulturore ashtu siç e meriton të jetë”, thotë ajo.

Pritet që puna konkrete në terren të nisë pas 3 muajsh.

Top Channel