Ministrja e Kulturës, znj.Mirela Kumbaro dhe prof. Pirro Thomo kanë inspektuar paraditen e së hënës, nisjen e punimeve në Kishën e Kryqit të Labovës, në Gjirokastër. Fondi i restaurimit prej së paku 200 mijë eurosh, do t’i kthejë kishës shumëvjeçare vlerat e saj kulturore, por edhe turistike.
“Sot kemi ardhur të inspektojmë fillimin e punimeve. Është një kishë me shumë probleme për sa i përket inklinimit që ka kupola por edhe për sa i përket vendosjes në themel. Nuk është proces i leht, por dua të falenderoj komunitetin dhe banorët e Labovës ,me të cilët përveçse kemi qenë bashkudhëtarë për këtë projekt, janë ata që kanë meritën kryesore bashkë me Drejtorinë Rajonale të Gjirokastrës për t’u kujdesur, për ta mirëmbajtur e për ta promovuar. Meritojnë më shumë se kurrë vëmendjen e qeverisë për të sjellë në dritë jo vetëm vlerat e kishës, por edhe për të tërhequr të gjithë turistët. Është një kishë që mund të them një thesar i tarshëgimisë kulurore shqiptare për shumë arsye edhe për historinë, por edhe për arkitekturën”, tha Kumbaro.
Paralel me restaurimin e kishës, Kumbaro shtoi se po ecën edhe ndërtimi i rrugës për të cilin është vënë në dispozicion fondi prej 1 miliad lekësh.
“E pikërisht për këtë, restaurimi i kishës shkon në një plan të përbashkët me rregullimin e infrastrukturës. Ka filluar puna per rrugën, e cila do të plotësohet edhe nga pjesa e dytë, nga kthesa e Libohovës deri në Labovë. Rruga do të bëhet krejtësisht e re, duke mbajtur kështu premtimet që u bëmë emigrantëve vjet, se rrugën do ta kenë gati për këtë vit, që të sjellin turistë”, u shprej ministrja Kumbaro.
Nga Labova e Kryqit ministrja tha është gati projekti I quajtur “Itinerari i kishave të Gjirokastrës”, i cili do të përfshijë restaurimet e një sërë kishave në këtë qark, mes tyre edhe atë të Libohovës.
Top Channel