Kokainë në automjet, arrestohen shqiptari dhe këshilltari i Lega Nord

02/02/2017 00:00

Maurizio Agostini, militant i “Lega Nord” në Itali, si dhe këshilltar i qarkut Mattarrello, është arrestuar të shtunën e kaluar në jug të Trentos, ndërsa ishte duke drejtuar automjetin e tij tip “Hyundai Atos”, me pasagjer shqiptarin Stefan Dushku, 38-vjeçar që rezulton i pastrehë.

Ngjarja, gjithsesi është raportuar vetëm të mërkurën nga karabinierët, ndërsa 51-vjeçari italian ka qenë më parë edhe menaxher i një lokali në periferi.

Sjellja e tyre e dyshimtë detyroi që karabinierët italianë ta ndalonin automjetin dhe të ushtronin kontroll në të, duke gjetur brenda një pjese të modifikuar për magazinim poshtë kroskotit, më shumë se 300 gramë kokainë të pastër, të ndarë në tre pako, që kapte vlerën e rreth 60 mijë eurove. Të dy ata ndodhen tashmë në burg, me akuzën e posedimit dhe tentativës për shpërndarje të drogës, që dukej e destinuar për zonat e Trentinos.

Njoftimi i arrestimit të tij ka detyruar në mënyrë të menjëhershme forcën politike të “Lega Nord” ta përjashtojnë, teksa sekretari Maurizio Fugatti shpjegon përmes një deklarate se “kushdo që kryen këto krime nuk ka asgjë të përbashkët me parimet dhe shpirtin që udhëheq Lega Nord”.

“Përkundrazi, kjo forcë dënon çdo ditë me aksionet politike degradimin, krimet e vogla, shpërndarjen dhe konsumin e lëndëve narkotike. Zgjedhjet e gabuara të Agostinit, gjithsesi nuk kanë pse të ndikojnë për keq te puna e shumë militantëve të tjerë, simpatizantë të partisë sonë. Për këtë arsye, Maurizio Agostini është përjashtuar urgjentisht nga dega e Lega Nord në Trentino, ndërkohë që shpresojmë që shumë shpejt të vijohet edhe me shkarkimin e tij nga këshilli i qarkut”, tha sekretari i partisë.

Maurizio Agostini ishte një person tek i cili nuk mund të dyshoje. Bënte një jetë aktive politike, me një prani të theksuar në këshillin e qarkut, ku zor se mund të ketë munguar ndonjëherë, e ku kishte prezantuar disa dokumente brenda një viti e gjysmë aktivitet.

Top Channel