Kosovë-Serbi kthehen në tryezën e Brukselit

01/02/2017 00:00

Me një skenar të njëjtë si ai i javës së kaluar, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Frederica Mogherini priti këtë të mërkurë në zyrën e saj presidentët dhe kryeministrat e Kosovës e të Serbisë.

Pas takimit me palën kosovare, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së priti edhe delegacionin serb. Mediat publikuan fotot e delegacioneve para nisjes së takimeve me kryediplomaten evropiane, takime për të cilat nuk ka ende detaje.

Presidentët Hashim Thaçi dhe Tomisllav Nikoliç, së bashku me kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiç, pas takimeve morën pjesë në një darkë të përbashkët, ashtu si një javë më parë, kur u përpoqën të gjenin terren të përbashkët për të ulur tensionet e krijuara mes Kosovës dhe Serbisë, pas ngjarjeve të janarit.

Megjithatë, darka e javës së shkuar nuk solli asnjë ndryshim në qëndrimet e dy vendeve karshi dialogut dhe temat që duhet të diskutohen, duke ulur ndjeshëm pritshmëritë për takimin e fundit.

Prishtina zyrtare ngul këmbë në shkurtim të afatit për dialogun dhe përfundimin e tij me një marrëveshje finale politike, ndërsa Beogradi zyrtar insiston se Kosova është Serbi.

Top Channel