Gjyqi i Haradinajt, paraqitet në Francë kërkesa e Serbisë për ekstradim

01/02/2017 00:00

Seanca për shqyrtimin e kërkesës serbe për ekstradimin e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, në Colmar të Francës do të zhvillohet më 9 shkurt.

Prokuroria serbe ka dorëzuar në gjykatën franceze dosjen me pretendimet për krime lufte.

“Lënda e sajuar dhe e motivuar politikisht nga ana e Serbisë, sot i është dorëzuar zotit Haradinaj dhe palës mbrojtëse të tij. Seanca për shqyrtimin e lëndës ekstraduese mbahet në datën 9 shkurt”, shkruan avokati i Haradinajt, Arianit Koci, i cili e ka shoqëruar postimin me një foto të tij me Haradinajn në Colmar. “Asgjë nuk e ndal Haradinajn”, shkruan më tej ai.

Haradinaj, i cili është arrestuar më 4 janar në bazë të një fletarresti serb, është në liri me kusht në pritje të seancës për shqyrtimin e kërkesave serbe.

Më herët, ish-kryeministri i Kosovës, në një postim në rrjetet sociale shprehu bindjen se do të kthehet në Kosovë javën e ardhshme, e falenderon edhe njëherë të gjithë ata që e kanë mbështetur.

“Më lejoni që edhe njëherë t’iu falënderoj për mbështetjen ndaj meje, të manifestuar gjatë të gjithë këtyre ditëve, si dhe për besimin e palëkundur se gjithçka rreth ndalesës sime, këtë herë ishte politike”, përfundon statusi i Haradinajt.

FOTO GALERI
1/1
Haradinaj dhe avokati i tij mbrojtës

Top Channel