Tsipras në Beograd, pritet “mosnjohja” e Kosovës

31/01/2017 00:00

Nga Lisbona, pas samitit të dytë të shteteve mesdhetare të BE-së, kryeministri grek Aleksis Tsipras shkon në Beograd për një vizitë dyditore, të cilën e ka përgatitur shumë kohë më parë ministri i Jashtëm Nikos Kotzias, por duket se edhe pala serbe ka shprehur dëshirën për realizimin e saj.

Vizita zhvillohet vetëm disa ditë pas deklaratave të ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiç për Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, kur ka pohuar se Serbia bëri gabim që e njohu atë me emrin Republika e Maqedonisë, duke fyer grekët, ndërsa nga ana tjetër Shkupi zyrtar njohu Kosovën.

Tsipras fillon kështu një cikël të ri në politikën e jashtme, në një moment kur marrëdhëniet me Shqipërinë dhe FYROM cilësohen si fronte diplomatike të hapura. Siç komentonte ditë më parë “Kathimerini”, në Beograd ai kërkon të riforcojë pozitat e Greqisë në Ballkan, pasi edhe vetë Serbia ka probleme me Shqipërinë dhe, siç thekson gazeta, të çojë një mesazh drejt Tiranës se nacionalizmi dhe irredentizmi nuk janë politika të pranueshme.

Tsipras ka vizituar Beogradin para se të merrte pushtetin në zgjedhjet e vitit 2015 dhe kishte deklaruar atëherë se Greqia nuk do të njohë Kosovën, një deklaratë që, sipas “Kathimerini”, mund ta ripërsërisë. Sipas burimeve qeveritare, Athina kërkon që t’u paraprijë zhvillimeve nga Shqipëria, pas informacioneve që disponon se pritet një rritje e fuqisë së Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet në prag të zgjedhjeve të qershorit, fakt që mund të përkeqësojë tonet nacionaliste dhe kjo është një prej aryseve që Greqia kërkon të bëjë të pranishme politikën e saj stabilizuese në rajon.

Top Channel