FMN jep shifrat për Shqipërinë, ja sa pritet të rritet ekonomia dhe në çfarë niveli parashikohet të jetë inflacioni Edhe pse statistikat zyrtare tregojnë se pabarazia ka rënë, qytetarët perceptojnë të kundërtën. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim e cilësoi rritjen e pabarazisë së perceptuar një rrezik jo vetëm për ekonominë, por edhe stabilitetin politik.
“Njerëzit mendojnë se gjatë 4 viteve të fundit pabarazia është rritur edhe pse statistikat zyrtare thonë se ajo ka rënë. Ky tregues vlen shumë. Perceptimet e publikut janë më të rëndësishme sesa ajo që tregojnë statistikat zyrtare në formimin e besimit të individëve, në formimin e institucioneve ekonomike dhe politike, por mbi të gjitha ato ndikojnë mënyrën sesi votojnë qytetarët”, thotë Francesca Dalla Pozza nga BERZH.
Zhvillimi i pabarabartë mes shtresave të ndryshme të popullsisë është një fenomen që ka prekur të gjitha ekonomitë e ngjashme të rajonit, ku rritja ekonomike ka shkuar kryesisht tek një grup i vogël i popullsisë
“Raporti i Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim evidenton se pabarazia në ekonomi, në mundësi dhe përfshirje financiare është rritur duke ndikuar negativisht mirëqënien ekonomike të vendeve në tranzicion. Gjetja e rrugëve të zgjidhjes është një sfidë e vështirë, ku edukimi financiar dhe përfshirja financiare vlerësohen si mundësi për të adresuar këtë problematikë”, deklaroi kreu i BSH, Gent Sejko.
Sipas Bankës Botërore, pabarazia u rrit veçanërisht gjatë krizës, e cila goditi më fort shtresat më të varfra. Por sipas ekspertëve të BERZH, lajmi i mirë është se periudha më e vështirë tashmë ka kaluar edhe në Shqipëri.
“Ekonomia po rritet në mënyrë të qëndrueshme prej 3 vitesh. Ne presim që kjo tendencë të vazhdojë edhe gjatë këtij viti me rritjen ekonomike që parashikohet të shkojë 3.5 përqind, e ndihmuar edhe nga projekti TAP. Por ajo nuk është e bazuar vetëm tek ky projekt, është një rritje me bazë të gjerë dhe kjo është inkurajuese”, u shpreh Peter Stanfey i BERZH-it.
Top Channel