Francis Ford Coppola po e kthen në “videogame” filmin e tij epik mbi luftën e Vietnamit, “Apocalypse Now”, dhe i kërkon publikut të kontribuojë me 900 mijë dollarë për realizimin e këtij projekti.

Regjisori fitues i çmimit “Oscar” ka hapur një faqe “Kickstarter”, përmes së cilës do të realizohet mbledhja e fondeve. Që të marrë formën përfundimtare, videolojës interaktive do t’i duhen 3 vite.

Personazhi kryesor do të jetë kapiteni i ushtrisë amerikane Willard, i interpretuar në filmin e 1979-s nga Martin Sheen, i cili niset me misionin sekret të vrasë kolonelin tradhtar Kurtz, sjellë në ekranin e madh nga aktori legjendar Marlon Brando.

“40 vite më parë kërkova të realizoj një film artistik, i cili të ndikonte gjenerata të tëra shikuesish për vitet që do të vinin. Sot rrethohem nga guximtarë të rinj, një ekip që kërkon të sjellë në jetë versionin interaktiv të ‘Apocalypse Now’, ku lojtari shndërrohet në kapitenin Benjamin Willard në sfondin e egër të luftës së Vietnamit”, tha Francis Ford Coppola, regjisor.

Edhe pse shumë e konsiderojnë si njërin prej filmave më të mëdhenj të luftës në të gjitha kohërat, “Apocalypse Now” fitoi një “Golden Globe” dhe vetëm dy çmime “Oscar” për kolonën zanore e kinematografinë më të mirë.

Fondi “Kickstarter” pritet të mbulojë një pjesë të kostos gjigante të videolojës dhe hedhjes së saj në treg, por ai konsiderohet edhe një mënyrë për të testuar që në fazat e hershme, sesa do ta mirëpresë vërtet publiku një produkt të tillë.

Top Channel