Në një koncert bamirësie

26/01/2017 00:00

“Spitali Amerikan” ka vendosur të kremtojë 10-vjetorin e krijimit me një koncert bamirësie, duke mbledhur emrat më në zë të muzikës lirike dhe muzikës së lehtë shqiptare e botërore.

Ata do të këndojnë të premten në skenën e Pallatit të Kongreseve, ndërsa të ardhurat nga shitja e biletave do të shkojnë për realizimin e operacionit për vendosjen e implantit koklear, te fëmijët që kanë lindur me probleme me dëgjimin.

Enkas për këtë qëllim, sopranoja me famë botërore Maria Jose Siri sjell ngjyrat e teatrit “La Scala”, duke prekur për herë të parë skenën shqiptare.

“Vendosa të vij këtu, sepse kam shumë miq nga Shqipëria dhe nuk kisha ardhur asnjëherë. Unë jam vet nënë dhe kam fëmijë. Kur bëhet fjalë për fëmijët, jam e para që dua të ofroj kontributin tim, zërin tim dhe gjithçka mundem të bëj për ta, ndaj është kënaqësi të vij këtu për këtë arsye”, tha Maria Jose Siri, soprano.

“Unë iu bashkova menjëherë idesë së një koncerti bamirësie. Këmbëngula që të sillja vërtet një element të një cilësie të lartë”, tha Josif Gjipali, tenor.

“Për atë mesazh dhe nismë që është nsiur ky koncert, falënderoj ata që e realizuan dhe e bëjnë të mundur dhe t’i përkushtohen sa më shumë asaj që kanë nisur, misionit të tyre human”, tha Kastriot Tusha.

“Vijmë këtu për të ndihmuar fëmijët që nuk dëgjojnë. Spitali Amerikan është gjithmonë në ndihmë të këtyre çështjeve të ndjeshme dhe, sidomos kur ka të bëjë me fëmijët, ne mundohemi t’i ndihmojmë me të gjitha mënyrat”, tha Mario Karaj.

Mbrëmjen e 27 janarit do t’i bashkohen kauzës edhe Rona Nishliu, Dren Abazi, Sindi Mamaqi, etj., nën drejtimin e orkestrës “Ibrahim Madhi”.

Top Channel