Sot ndodhet në krye të një perandorie komunikimi, por nuk është çudi që në një të ardhme ta shohim në krye të Shteteve të Bashkuara.

Kështu të paktën po spekulohet së fundmi nëpër rrjetet sociale për të ardhmen e Mark Zuckerberg. Këto spekulime u përforcuan më shumë kur për herë të parë themeluesi i Facebook bëri një deklaratë politike dhe njoftoi edhe një nisjen e një turi takimesh nëpër shtetet e SHBA.

Në zgjedhjet presidenciale të 2020, 32-vjeçari do të plotësonte edhe kriterin e moshës për të marrë pjesë në një garë të tillë dhe duket se përgatitjet për këtë kanë nisur para zgjedhjes së Donald Trump.

Në prill, siç raportoi në atë kohë revista “Fortune”, Zuckerberg ndërmori një sërë ndryshimesh strukturore në kompaninë e tij, për t’i dhënë mundësi që të përfshihej vetë në një fushatë elektorale.

Një tjetër ndryshim është edhe qëndrimi për besimin. Në të shkuarën ai disa herë është deklaruar ateist, ndërsa në urimin e Krishtlindjeve e përshkroi atë “si mjaft të rëndësishëm për shoqërinë”.

Si të mos mjaftonin gjithë këto, në fillim të 2017, ai njoftoi “sfidën personale” për të vizituar dhe folur me njerëzit në të gjitha shtetet e SHBA, në 30 nga të cilat nuk ka qenë asnjëherë më parë.

Kjo është komentuar në Buzzfeed News si lëvizje për në Shtëpinë e Bardhë. “Ata që kanë ndërmend të garojnë për President, përgjithësisht ndërmarrin ture të tilla dhe përgatisin terrenin e veten”, thotë një komentues.

Facebook nuk u ishte përgjigjur gjithë këtyre spekulimeve deri më tani, por duket se shtimi i thashethemnajës e ka bërë që të reagojë.

“Jo! Jam i përqendruar në zgjerimin e komunitetit tonë në Facebook dhe të punoj me Chan Zuckerberg Initiative”, ishte përgjigjja e tij e thatë ndaj pyetjes së adresuar nga Buzzfeed News.

Top Channel