Gjyqet për pasuritë e Frrokut dhe Bamit

24/01/2017 00:00

Ekspertja kontabël që ka përllogaritur pasurinë e ish-deputetit Mark Frroku, është eskperte e Prokurorisë së Përgjithshme dhe nuk disponon një licensë. Këtë fakt e ka pohuar vetë ekspertja në seancën e së martës, ku ishte e thirrur në cilësinë e dëshmitares nga i pandehuri Frroku.

Greta Drangu pohoi përpara trupit gjykues se është punonjëse e Prokurorisë së Përgjithshme dhe se nuk dipsonon një licensë si eksperte kontabël. Ajo pohoi gjithashtu se verifikimin e pasurisë së Frrokut e ka bërë në bazë të materialeve që i janë dhënë nga dosja penale dhe më konkretisht nga prokurori që ka hetuar Frrokun. Këto fakte, sipas avokatëve të Frrokut, janë një konflikt i hapur interesi, pasi, sipas tyre, ekspertja kontabël duhet të jetë e pavarur dhe mbi të gjitha, e licensuar.

Për këtë arsye, ata kanë kërkuar një riekspertim kontabël mbi pasurinë e Frrokut, nga ekspertë të pavarur që do të caktohen nga gjykata. Sipas hetimeve të prokurorisë, Mark Frroku nuk justifikon pasurinë e tij në vlerën e mbi 2 milionë dollarëve.

Ndërkohë, në Gjykatën e Krujës, ditën e martë ka nisur procesi ndaj Durim Bamit, i bashkëpandehur me Mark Frrokun dhe Tom Doshin, të akuzuar për deklarim të rremë në lidhje me një skenar për vrasjen e deputetit Tom Doshi dhe deputetit tjetër Mëhill Fufi. Bami akuzohet në procesin e Krujës për pastrim parash, pasi dyshohet që nëpërmjet kontratave për shitblerje dhe dhënie me qira apartamentesh ka tentuar të justifikojë të ardhura që nuk u dihet burimi.

Top Channel