Hetimi i Samsungut për dështimin e “Galaxy Note 7” doli në përfundimin se, mbinxjehja dhe djegia e telefonave ndodhte për shkak të defekteve në bateri. Samsung ndaloi prodhimin dhe hoqi nga tregu modelin “Note 7” në tetor, pasi dështoi me riparimet.

Mendohet se fiasko i “Note 7” i ka kushtuar Samsungut 5.3 miliardë dollarë, pa llogaritur dëmin në reputacion. Sipas Samsung, hetimi doli në përfundimin se djegia e telefonave shkaktohej nga bateria defektoze, ndërsa programet dhe pjesa tjetër fizike e telefonik kanë funksionuar siç duhet.

Në një komunikatë për shtyp, Samsung sqaron se defektet në projektim dhe prodhim ndikuan negativisht te bateritë, që prodhoheshin nga dy kompani të ndryshme. Mes problemeve të ndryshme përmenden mungesa e materialit izolues dhe reduktimi i gabuar i hapësirës së elektrodave.

Samsung tha se merr përgjegjësinë e plotë për dështimin e kompanisë në identifikimin dhe verifikimin e çështjeve të sigurisë që erdhën nga bateritë.

Kolosi i telefonave celularë nuk identifikoi prodhuesit e baterive, por sipas medieve, bëhet fjalë për degën “SDI” të vet Samsungut dhe kompaninë kineze “Amperex Technology”. Mediet shkruajnë gjithashtu se pritet një vonesë në nxjerren e produkteve të reja të Samsungut për këtë vit, pasi kompania po sigurohet që një dështim i tillë të mos përsëritet.

Top Channel