Shkodranët gati për privatizim, “Loro Boriçi” mbetet i Bashkisë

22/01/2017 00:00

Në pritje të fillimit të dy fazave të mbetura të Superligës, një ndër skuadrat e mëdha dhe me shumë probleme nën zë, duket të jetë Vllaznia e Shkodrës. Pa një merkato të denjë për emrin dhe pretendimet e saj, kjo skuadër mbetet ende në pritje të gjetjes një zgjidhje sa i përket privatizimit.

Në një intervistë për Top Channel, kryetarja e bashkisë së Shkodrës njëkohësisht edhe presidentja e klubit, Voltana Ademi thekson se privatizimi është në rrugën e duhur edhe pse Bashkia po i përgjigjet denjësisht nivelit të Superligës.

Ne kemi mbështetur klubin gjatë vitit 2016-të dhe në vazhdimësi në vitin 2017 duke alokuar nga financat e buxhetit të Bashkisë. Në fakt e rëndojnë buxhetin e Bashkisë. Janë 620 milionë lekë të vjetra. Është i vetmi klub në Shqipëri ku detyrimet shlyhen në kohë dhe sipas kontratës”, shprehet Voltana Ademi kryetare e Bashkisë Shkodër.

Bilancet e pambyllura prej disa vitesh, tashmë janë gati dhe zonja Ademi thotë se i janë paraqitur të interesuarve vendas dhe të huaj.

“Kam kontaktuar disa prej të interesuarve. Përgjithësisht kanë qenë nga Shqipëria, por edhe të huaj. Shpresoj shumë që ankandi të jetë i vlefshëm dhe të ketë të interesuar për të investuar tek Vllaznia”, shton ajo.

Edhe pse janë zhvilluar disa ndeshje ndërkombëtare dhe gjithçka është gati për Vllazninë, Ademi thotë se “Loro Borici” nuk ka përfunduar, në mbyllje të punimeve, ku janë parashikuar edhe palestrat e mundjes, peshëngritjes dhe sporteve të tjera, Bashkia Shkodër do ta menaxhojë vetë.

“Jemi akoma në fazën e pritjes për të marrë të gjithë investimin e kryer dhe më pas Bashkia Shkodër ka marrë parasysh për ta menaxhuar me financat e veta. Ne jemi në gjendje për ta mbajtur. Kemi financat e duhura dhe mund ta menaxhojmë”, sqaron Voltana Ademi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA