Sot makina nuk është më një mjet luksi dhe numri i tyre në mbarë botën vazhdon të rritet me shpejtësi të llahtashme, aq sa në shumë qendra urbane, problemi më i madh, veç ndotjes që shkaktojnë është edhe trafiku.

Kujtojmë këtu pamjet nga një ditë e zakonshme nga trafiku mbytës në Pekin, rrugët e Nju Delhit në Indi apo apo edhe të Tiranës.

E për të shmangur këtë problematikë, kompanitë më të fuqishme të prodhimit të mjeteve të transportit po drejtojnë gjithnjë e më shumë sytë nga qielli, por jo për ndërtimin e avionëve, por të makinave fluturuese.

Mund të tingëllojë një realitet i largët kur thuhet “makina fluturuese”, por nuk duket aq, të paktën sipas një prej kompanive më të mëdha të prodhimit të mjeteve të transportit ajror.

Shefi ekzekutiv i “Airbus”, Tom Enders tha gjatë një konference kushtuar teknologjisë në Gjermani se kompania e tij planifikon testimin e një prototipi makine fluturuese në fund të këtij viti.

Ky prototip është frut i punës së divizonit të krijuar enkas për këtë punë nga kjo kompani, i quajtur “Urban Air Mobility”. Detyra e këtij divizioni është të shqyrtojë mundësitë e realizimit të një mjeti fluturues, i ngjashëm me helikopterin, por me kosto më të vogël ndërtimi dhe udhëtimi e në gjendje që të transportojë nga një deri në gjashtë persona.

Enders thotë se ideja e “Airbus” është përdorimi i këtyre mjeteve si shërbim taksi në qendra të mëdha urbane dhe prenotimi të bëhet përmes një aplikacioni të posaçëm.

Sa i përket nisjes dhe uljes, “Airbus” thotë se po punon me teknologjinë e njohur si “VTOL”, nisje dhe zbritje vertikale.

Gjithçka është në fazë eksperimentale dhe “Airbus” thotë se po punon që të marrë licencën për hedhjen në përdorim masiv të këtyre mjeteve në vitin 2021.

Top Channel