Tjetër padi për Donald Trump

18/01/2017 08:40

Akuzat ndaj Donald Trumpit për keqtrajtim të femrave rikthehen nga njëra prej konkurrenteve të “reality show”-t të famshëm të tij, “The Apprentice”. Summer Zervos e ka hedhur në gjyq miliarderin për të rehabilituar – siç thotë, – reputacionin e saj, duke e detyruar manjatin të pranojë publikisht akuzat e ngacmimit seksual në vitin 2007.

Lëvizja vjen vetëm 3 ditë përpara se Trump të bëjë betimin si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara.

Republikani u përball me një seri pretendimesh të kësaj natyre gjatë fushatës presidenciale, të cilat i mohoi kategorikisht. Ai do të fliste asokohe për akuza të rreme e qesharake, produkt i njerëzve të “sëmurë” e të tërhequr prej famës, parave ose politikës.

“Më 11 nëntor 2016 e mora në telefon zotin Trump për t’i kërkuar të tërheqë deklaratat e bëra ndaj meje, kur më quajti ‘gënjeshtare’. Kanë kaluar më shumë se dy muaj dhe prej tij nuk ka asnjë reagim. Duke qenë se ai nuk i tërheq ato që ka thënë, atëherë edhe unë nuk kam rrugë tjetër përveçse të nis një proces gjyqësor, jo për kompensim financiar, por thjesht për ta detyruar të pranojë se kam thënë të vërtetën”, tha Summer Zervos.

Avokatja e saj, Gloria Allred, një aktiviste e Partisë Demokrate, thotë se paditësja i është nënshtruar edhe makinës së të vërtetës. 41-vjeçarja këmbëngul se Trump e ka ngacmuar seksualisht gjatë një takimi në hotelin “Beverly Hills”, ku duhej të diskutonin një mundësi punësimi.

Trump, ndërkohë, dukej i pashqetësuar mbrëmjen e së martës gjatë darkës private me “kollaro të zeza”, organizuar në Uashington DC përpara ceremonisë së betimit, ku ishin ftuar plot 147 diplomatë e ambasadorë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA