
Në qytetin e Shkodrës është prezantuar Fototeka “Marubi”. Ky është një projekt që do të ndihmojë në ruajtjen e negativëve të fotografive sipas standardeve më të fundit të përdorura sot në botë.
Në prezantimin e tij, ambasadorja gjermane në vendin tonë, Susanne Schütz, e vlerësoi Muzeun “Marubi” si një thesar me vlera unike në pikëpamjen historike dhe vlerë e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.
“Është kënaqësi për mua t’i dhuroj sot Fototekës Marubi, 7.000 kuti arkivimi e 82 mijë zarfe speciale për arkivimin e negativëve. Bëhet fjalë për më shumë se 4 tonë materiale, që Qeveria Federale gjermane ka dhuruar, me një vlerë prej 70 mijë eurosh. Qeveria Federale gjermane, nëpërmjet Ministrisë Federale të Jashtme, që nga viti 1989 ka mbështetur 20 projekte për ruajtjen e vlerave kulturore”, tha Susanne Schütz, ambasadore e Gjermanisë në Tiranë.
Ministria e Kulturës, Mirela Kumbaro, dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, gjithashtu të pranishëm, i shprehën mirënjohjen ambasadores Schütz për vlerën e dhuruar.
“Ishte pikërisht janari i vitit 2014, kur i gjetëm në një birucë, në kushte tepër të këqija lagështire dhe ruajtjeje, e sidomos të fshehura nga syri i publikut dhe i vizitorëve të huaj”, tha Mirela Kumbaro.
“Përmes këtij projekti, që zbatohet falë mbështetjes gjeneroze të qeverisë gjermane, ne kemi mundësi për të hedhur një hap vendimtar në promovimin e vlerave më të mira që kanë të bëjnë me identitetin europian të shqiptarëve”, tha ministri i Jashtëm Bushati.
Top Channel