Mbi 100 kryevepra të artit italian të viteve 1900 do të qëndrojnë të ekspozuara në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, nga dita e hënë deri më 2 prill.
Vlera e tyre është 12 milionë euro dhe prezantojnë kulturën artistike të Romës, nga Simbolizmi, Futurizmi, Klasicizmi i Ri, Shkolla Romane dhe Abstraktizmi.
”Kultura është një mënyrë për të lexuar historinë, është rruga më e mirë për tu njohur në mënyrë të ndërsjellë”, tha Federica Pirani, Drejtore e Muzeve të Artit në Romë.
Ekspozita vjen në Tiranë nga grupi më i madh i ekspozitave në Itali, “Artemisia”, si rezultat i një përpjekje më shumë se 1 vjeçare e një skuadre të përbërë nga Ministria e Kulturës, Bashkia Tiranë, kryeministria, koordinuar nga deputeti Artan Gaçi.
“Një shprehje shumë e mençur thotë rrënjët e atdheut nuk janë në tokë, janë në ushqim, e ushqimi nuk është vetëm buka që hamë, por është kultura dhe identiteti ynë”, u shpreh kryeministri Rama.
Kjo është hera e parë që në Shqipëri ekspozohen kryevepra origjinale të realizuara nga Giorgio De Chirico, Giacomo Balla, Renato Guttuso etj. Por kryeministri shpreson të mos jetë e fundit.
“Pasi të mbarojë ekspozita dhe nuk do të kemi kontakte që mund t’ju krijojnë atyre dëmin më të vogël në lëkurë, do të mund të sjellim vitin e ardhshëm Pikason”, tha Rama.
Kreu i Bashkisë Erion Veliaj paralajmëroi çeljen e hapësirave të reja për artin në kryeqytet ndërsa tha se në datën 20 janar do të ketë një diskutim me arkitektin nga Roterdami Vini Mas për të ardhmen e Piramidës.
Top Channel