Beograd, presidenti Nikoliç akuzon Obamën

15/01/2017 00:00

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç ka akuzuar edhe administratën amerikane në largim, duke thënë se i duket sikur vendimet e Prishtinës janë orvatjet e fundit të saj.

Gjatë takimit të Këshillit të Sigurisë në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Nikoliç ka thënë se të gjitha strukturat e sigurisë në Serbi janë të mendimit që vendimi i Serbisë për ta kthyer trenin ka qenë i matur, por sipas tij të gjithë janë të mendimit se duhet mbrotjur çdo qytetar dhe pëllëmbë territori i Serbisë.

Serbia duhet të kërkojë nga Brukseli dialog për trenin dhe lirinë e lëvizjës, në të kundërt, presidenti serb nuk sheh asnjë nevojë për dialog me Prishtinën, apo Bashkimin Europian.

Ai ka thënë se kjo situatë i duket ndikim i fundit i administratës së vjetër amerikane në largim, pasi siç thotë ky veprim nuk ka qenë i pakoordinuar.

“Paraqitja e njësisë speciale ka qenë shenjë se shqiptarët duan luftë. Kemi qenë afër momenteve të konflikteve serioze”, tha Nikoliç pas takimit të Këshillit të Sigurisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë.

“Nuk duam konflikt, por ekzistojnë situata dhe rrethana që duhet të sillemi në bazë të Kushtetutës. Ne duhet të sigurojmë çdo pëllëmbë dhe çdo pjesë të territorit tonë. Këtu nuk ka dyshim. Qeveria, policia dhe ushtria janë në të njëjtin mendim. Çdo tentim tjetër do të përfundojë keq dhe këtë duhet ta dinë edhe ata, edhe sponsorët e tyre”, ka thënë Nikoliç.

Serbia është kthyer gati në gjendje të jashtëzakonshme pas incidentit me trenin, ndërsa mediet në Serbi e cilësojnë këtë ngjarje si kthimi i trenit nga Kosova dhe jo si incident që filloi në Beograd.

Top Channel