Përveç lirisë që iu dha 752 të dënuarve në të  gjithë vendin, nga amnistia kanë përfituar edhe burgjet që zgjidhën situatën e mbipopullimit në qeli, një shqetësim ky i bërë prezent çdo vit.

Nga 6184 të dënuar dhe të paraburgosur që ishin të shtunën në qeli, aktualisht mbahen në sistemin penitenciar 5432 persona, aq sa është edhe kapaciteti i burgjeve. Por, ndërkohë, nga aplikimi i amnistisë po përgatiten të boshatisen edhe zyrat e shërbimit të provës, që kanë nën mbikqyrje gati 6 mijë shtetas të dënuar nga gjykatat me dënime alternative.

Sipas një burimi të Top Channel, 3 mijë prej tyre llogaritet të përfitojnë nga amnistia, ndërkohë që nuk ka ende të dhëna nga prokuroria se sa është numri i dosjeve që do të pushohen në zbatim të të njëjtit ligj.

Specialistët e shërbimit të provës, përveçse kanë kalkuluar shifrën e përfituesve të amnistisë, po përgatisin informacionin që do t’i përcjellin prokurorisë edhe për gati 2 mijë të dënuar të tjerë nën shërbim prove, për të cilët i takon organit të akuzës të vendosë nëse ata përfitojnë apo jo nga amnistia.

Në fakt, edhe gjatë amnistisë së kaluar, juristët e  shërbimit të provës ishin në dilemë për zbatimin e disa neneve të ligjit të amnistisë, pasi prokurori të rretheve të ndryshme ndoqën praktika të ndryshme. Nën të njëjtën paqartësi ndodhet shërbimi i provës për të dënuarit që, sipas nenit, burrave u ka mbetur një vit dënim alternativ dhe grave dy vjet.

Që amnistia të zbatohet në këtë rast duhet të pritet qëndrimi i akuzës, ashtu sikurse edhe për nenin 3, pika 5, për të cilin pritet udhëzim nga Prokurori i Përgjithshëm.

Për shkak se ndryshe nga sa parashikon amnistia për ndalimet sipas paragrafëve, ka vendime gjyqësore që nuk janë të specifikuara, por janë me bazë ligjore të përgjithshme.

Top Channel