Ngricë dhe dëborë, të bllokuara fshatrat në Kukës, Dibër, Shkodër, Librazhd e Korçë

06/01/2017 09:00

Reshjet e dëborës, të pasuara nga ngrica kanë izoluar shumë fshatra. Situata më e rënduar paraqitet në verilindje dhe juglindje të vendit. Bora arrin në një metër në disa zona në Njësinë Administrative Kukës, Has e Tropojë.

“Situata sot, duke parë rënien e temperaturave dhe reshjet e mëdha të dëborës gjatë të gjithë natës, është përkeqësuar”, tha Abdulla Domi, sekretar i Përgjithshëm i Prefekturës Kukës.

Një divizion i ushtrisë, së bashku me disa mjete është vënë në dispozicion të Bashkisë së Kukësit. Kryebashkiku Bashkim Shehu i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama gjatë një bisede telefonike, ndihmë për të përballuar situatën.

Në Shkodër, trashësia e dëborës arrin deri në 120 cm në Dukagjin dhe 80 cm në rrugën Koplik-Dedaj-Bogë. Në Shkodër janë të izoluara Thethi, Boga, Bregu i Lumit, Dukagjini dhe Vermoshi.

Në Dibër, të izoluara janë Reci, Lura, Selishta. Në rubrikën “Ti Raporton” në Top Channel, shumë banorë kanë dërguar video duke kërkuar ndihmën e shtetit për të pastruar rrugët. Një video e tillë është bërë në fshatin Zimur.

“Janë zgjuar të bllokuar nga dëbora një pjesë e mirë e fshatrave të Librazhdit. Stebleva, ku trashësia e dëborës ka arritur 50 cm, aktualisht është e bllokuar me të gjithë fshatrat e saj. Po ashtu është bllokuar edhe njësia administrative Lunik”.

Ndërkohë situata paraqitet shumë problematike në aksin nacional Elbasan-Librazhd, ku pranë kthesave të Murrashit qarkullimi është bllokuar. Dy persona mbeten të bllokuar gjatë natës, rrugës për në fshatin Qarrishtë.

Bora kthehet pas 7 vitesh edhe në bregdet. Përveç entuziazmit të banorëve, moti i keq ka shkaktuar probleme me disa vonesa tragetesh dhe në Gjirin e Durrësit, era me drejtim nga verilindja shënon forcën 5 ballë, kurse në det të hapur arrin deri në 8 ballë. Ndërsa në Malësinë e Krujës janë izoluar disa fshatra.

Edhe qarku juglindor i Korçës është mbuluar në pjesën më të madhe të tij nga akulli. Bora, e cila ka arritur deri në 40 cm në disa prej zonave malore, është shoqëruar edhe me vështirësi të shumta dhe mungesë të energjisë elektrike, ndërsa sipas autoriteteve, situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

FOTO GALERI
2/15

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA