Energjia, çmimi nuk ndryshon. OSHEE: Kompanitë e mëdha ta blejnë në treg

26/12/2016 00:00

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) nuk do të kërkojë ndryshimin e asnjë tarife energjie për konsumatorët familjarë dhe bizneset për vitin 2017.

“Nga ana e OSHEE-së nuk ka pasur aplikim, megjithëse nevoja për likuiditet dhe investime vazhdon të jetë e madhe dhe e domosdoshme. Është menduar që në kuadrin edhe të realizimit të funksionit të furnizuesit të shërbimit universal me energji, të mos ketë aplikim të mirëfilltë për rritjen e tarifës së shitjes së energjisë me pakicë”, tha Elton Sevrani, drejtor i Tregut të Energjisë, OSHEE.

Aktualisht, çmimi i shitjes së energjisë për familjarët është 9.5 lekë për kilovat/orë. Ndërkohë nga janari i 2017-s, bizneset që furnizohen në tensionin 35 kilovolt duhet të dalin në tregun e lirë të energjisë, duke e siguruar vet blerjen e saj. Për shërbimin e aksesit, OSHEE do të aplikojë një tarifë prej 1.5 lekësh për kilovat, derisa ERE të vendosë për çmimin përfundimtar.

“Ata që sot zhvillojnë aktivitetin e tyre në 35 kilovolt do të tentojnë të dalin në tregun e parregulluar të aksesit. Për momentin do të jetë 1.5 lekë dhe më pas ERE do të marrë në analizë një kërkesë tonën për rialokimin e kostove për të parë nëse është e nevojshme të kemi ndonjë modifikim”, tha Elton Sevrani.

Ndërkohë, gjatë vitit 2017, edhe bizneset e tensioneve 20 dhe 6 kV duhet të dalin në tregun e parregulluar. Për këtë ndryshim, OSHEE dhe OST po merren me ngritjen e sistemit të monitorimit.

Top Channel