
Korça është një nga destinacionet kryesore për të kaluar festat e këtij fundviti. Si asnjëherë janë pronotuar të gjitha hotelet dhe shtëpitë që kanë hapur dyert për vizitorët.
“Prenotimet kanë filluar që nga muaji tetor me telefon dhe rrjetet sociale. Interesi ka qenë shumë i madh. Shumica kanë qenë shqiptarë, por ka edhe të huaj që vizitojnë Korçën në këtë prag festash”, thotë Eriketa Koçollari, menaxhere hoteli.
“Ne si hotel për natën e Krishtlindjes i kemi të mbylluara dhomat, janë të gjitha të rezervuara”, deklaron Orjana Xama, një tjetër menaxhere hoteli.
Për thuajse 4 mijë turistë që kanë zgjedhur Korçën, bashkia ka organizuar një seri aktivitetesh.
“Do të kemi një koncert, që tashmë është shndërruar në traditë, koncertin e korit Lira, parada e Babagjyshëve, paradë tradicionale me 100 Babagjyshë të vegjël. Do të ketë aktivitet interesant në bashkëpunim me Shoqatën e Aeronautikës, që është fluturimi i Babagjyshëve, që do të bëjnë fluturime me parashutë nga maja e Moravës me zbritje drejt qytetit”, thotë kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo.
Në qytetin juglindor, me tradita të njohura të mikpritjes në çdo stinë, bashkia po synon të rinovojë disa prej aseteve historiko- kulturore, të cilat të ndërthurura edhe me bukuritë natyrore pritet të shtojnë të ardhurat nga turizmi.
Top Channel