Grabitësin e liroi gjykata, Aldi Lleshaj ishte arrestuar për plagosje

23/12/2016 00:00

20-vjeçari Aldi Lleshaj, autor i plagosjes së efektivit Nikolin Gjergji nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai ishte arrestuar nga uniformat blu më 9 tetor të këtij viti me akuzën e plagosjes së lehtë me dashje, pasi kishte goditur me mjete të forta një 25 vjeçar duke i shkaktuar lëndime fizike si dhe kanosur për jetën.

Por gjykata e Kurbinit e ka liruar 20 vjeçarin problematik, ndërkoqë që për policinë ky person duhet të ishte pas hekurave të qelisë.

“Ka qenë i skeduar nga policia, madje i arrestuar vetëm pak muaj më parë, një person i cili falë mungesës së një vlerësimi të drejtë nga sistemi i drejtësisë u kthye sërish në rrezik jo vetëm për qytetarët por edhe për vetë ruajtësit e rendit”, deklaroi Haki Çako, drejtori i përgjithshëm i policisë.

Aldi Lleshaj ka jetuar për disa muaj edhe në Angli ndërsa në momentet e arrestimit ai ka shfaqur edhe çrregullime, duke i thënë efektivëve të policisë, se është mbret dhe i pavdekshëm. 20-vjeçari tashmë përballet me akuza tejet të rënda si dhe mbeti i plagosur në këmbë në operacionin e zhvilluar nga forcat Renea për kapjen e tij.

Top Channel