Serbi, sekuestrohen afro 40 kg heroinë. 3 shqiptarë në pranga

20/12/2016 00:00

Oficerë serbë të Policisë Kufitare kanë mundur të sfumojnë përpjekjen për të trafikuar rreth 39.4 kg lënde narkotike në pikëkalimin kufitar të Horgosit.

Administrata doganore tha se lënda narkotike, që trafikantët u përpoqën ta kalonin përmes kufirit me Hungarinë, ishte me shumë gjasa e llojit heroinë.

Sasia e drogës është gjetur në një automjet tip “Nissan” me targa shqiptare, ndërsa me të udhëtonin 3 shtetas shqiptarë me gjasë “pjesëtarë të së njëjtës familje”.

Sipas informacioneve të dhëna nga Ministria e Brendshme e Serbisë, shtetasit e arrestuar janë S.C., B.C. dhe I.C., të cilët janë dërguar në paraburgim për 48 orët e ardhshme, në pritje të ngritjes së akuzës penale të prodhimit dhe trafikimit të paligjshëm të lëndëve narkotike. Sasia e drogës është gjetur e fshehur poshtë sediljeve të shoferit dhe të pasagjerit.

Gjatë kontrollit të automjetit, oficerët gjetën “5 pako të mbështjella me shirit të verdhë dhe një pako me shirit të bardhë”, gjë që i bëri ata të dyshonin se këto pako mbanin lëndë të paligjshme narkotike.

Mes pakove ka pasur edhe “një tel dhe një spango”, qëllimi i të cilave nuk dihet. Policia bëri menjëherë rrethimin e vendit të ngjarjes, ndërsa zyrtarët e Doganës ndërprenë punën e tyre në pritje që aty të mbërrinte ekipi antieksploziv i Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Sipas një deklarate, një total prej 47 pakosh me përmbajtje lënde narkotike ende të paidentifikuar, por të dyshuar si heroinë, u gjetën në makinë.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel