Grabitjet me maska, sulmohet banka në Tiranë

19/12/2016 09:15

Personat që grabitën filialin e një banke të nivelit të dytë, mëngjesin e së hënës në kryeqytet pranë zonës së “21 dhjetorit” janë kapur nga kamerat e sigurisë së një biznesi.

Në këto pamje, dy autorët duken teksa largohen me një motor përmes rrugicave të zonës. Policia ngriti menjëherë disa postblloqe, por nuk mundi t’i ndalonte autorët, të cilët janë larguar në drejtim të paditur.

Të maskuar me shall dhe kapele dhe me pistoleta në duar, dy autorët kanë hyrë në bankë vetëm 25 minuta pasi ajo ishte hapur. Pasi kanë goditur dhe kërcënuar punonjësin e sigurisë së bankës, ata kanë marrë nga kasa një sasi parash, që sipas informacioneve nuk e kalon shifrën e 300 mijë lekëvë.

E gjithë grabitja ka ndodhur në harkun kohor të 3 minutave, ndërsa njëri nga autorët ka harruar armën brenda mjediseve të bankës.

Ndërkohë, një grabitje tjetër ka ndodhur në mesnatë në fshatin Bulgarec të Korçës, ku 3 persona të armatosur dhe të maskuar, pasi lidhën rojen, i vodhën kasafortën me rreth 700 mijë lekë një biznesmeni.

Edhe në Fier, dy persona kanë grabitur menaxherin e një firme pajisjesh elektronike, duke i marrë nga dora çantën me 200 mijë lekë.

Top Channel