Rivaliteti i Formula 1, Hamilton, rreziku i dublimeve!

14/12/2016 00:00

Me një kampion në fuqi të Formula 1 në “pit stop” ndoshta përgjithmonë, rreziku i garave spektakolare me makina është që të ulet numri i tifozëve dhe të bjerë më shumë spektakli. Në këtë sintezë ka arritur bosi i Formula 1 Bernie Ecclestone, që ka frikën se pas largimit të Nico Rosberg, do të duhet një tjetër pilot i fortë për të mbajtur të gjallë rivalitetin.

“Asnjë nuk do të blinte bileta për një Çmim të Madh apo të shikonte garat në televizor nëse nuk do të ishte një pilot i fortë në krah të Hamilton. jemi përballë rrezikut që Lewis të nisë t’i dublojë të gjithë gjatë garave dhe kjo do të ishte një e keqe e madhe për ne, për sportin dhe për spektaklin në tërësi”,  tha Bernie Ecclestone. Britaniku ka frikën se Mercedes në fund të negociatave, do të zgjedhë një pilot të dorës së dytë për të zëvendësuar Nico Rosberg.

Për Ecclestone, ky është një problem duke parë se kështu nuk do të shmanget dominimi i britanikut ambicioz që deri në fund rivalizoi për titullin në Formula 1.

“Nuk mendoj se ishte vërtet mundësia që Mercedes të firmoste me Vettel apo Alonso pasi të dy janë nën kontratë. Nëse është e vërtetë që Fernando u bë problem për shkak të Hamilton, atëherë mendoj se vepruan gabim në negociata”, tha bosi i Formula 1.

Kandidatë të ditëve të fundit për t’u ulur në makinën e lënë bosh nga kampioni i botës, janë Pascal Wehrlein dhe Valteri Botas, të dy këta pilotë, që Ecclestone mendon se nuk ofrojnë kërcënim real për një talent tashmë të regjur si Lewis Hamilton.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA