“Twitter”-i riaktivizoi llogarinë e Richard Spencer, udhëheqësit nacionalist dhe supremacist i bardhë, i cili ishte pezulluar nga ky rrjet soacial në kuadër të një fushate mjaft të reklamuar për të spastruar sjelljet raciste apo të urrejtjes.

Profili i Spencer në “Twitter” u pezullua më 15 nëntor, si pjesë e një operacioni të përgjithshëm kundër krerëve të “Alt-Right”, një lëvizje e ekstremit të djathtë, e cila ka marrë mjaft hov në SHBA që prej zgjedhjes së Donald Trumpit.

Kur pezulloi llogarinë e Spencer, “Twitter” tha se kishte vendosur rregulla dhe mënyra të reja për të ndaluar propagandë racore urrejtjeje. Bashkë me llogarinë e Spencer, “Twitter” pezulloi llogarinë e Institutit të Politikave Kombëtare që ai drejton dhe gazetën e tij “Radix”.

Në javët pas pezullimit, Spencer u shfaq shpesh në publik dhe një prej rasteve më të bujshme ishet ai në Teksas, ku deklaroi se Amerika iu përket njerëzve të bardhë. Më 11 dhjetor “Twitter”-i, pa dhënë komente apo shpjegime, riaktivizoi profilin dhe llogarinë e Richard Spencer.

Ky i fundit, në “cicërimën” e tij të parë njoftoi se ishte rikthyer. Sipas tij, tani radhën për t’u aktivizuar sërish e kanë llogaria e Institutit të Politikave Kombëtare dhe gazeta “Radix”.

Top Channel