Rimbursimi i TVSH, Ahmetaj: Përmirësime, por ka ende vonesa

12/12/2016 00:00

Sipas Këshillit të Investimeve, 54 për qind e biznesve vlerësojnë se rimbursimi i tatimit mbi vlerën e shtuar është bërë më i lehtë dhe më transparent.

Por pavarësisht kësaj, Këshilli vëren se afatet e rimbursimit vazhdojnë të shkelen. Për bizneset që mbi 70 për qind të xhiros e kanë nga eksporti, ligji përcakton rimbursim automatik.

Për ato që kanë 50-70 për qind të të ardhurave nga eksporti afati i rimbursimit është 30 ditë, ndërsa për pjesën tjetër ai është 60 ditë.

Por, sipas një raporti teknik të Këshillit rezulton se afatet shkelen për të tre kategoritë, veçanërisht për bizneset eksportuese, të cilat duhet të përfitojnë rimbursim automatik.

Për ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, vonesat në rimbursimin e TVSH-së janë të karakterit teknik, pasi politika e qeverisë është që biznesi të shlyhet sa më shpejt.

“Ndërhyrjet që u bënë në ligjin e administrimit janë lehtësime revolucionarizuese. Në administrim unë jam i bindur që vazhdimisht dalin probleme teknike apo dhe të intepretimit”, deklaron Ahmetaj.

Sipas Ahmetajt, qeveria pagoi 200 milionë dollarë borxhe të vjetra ndaj biznesit, që rridhnin nga TVSH-ja e parimbursuar para vitit 2013. Megjithatë, ai thotë se qeveria po shqyrton të tjera lehtësime.

“Ka nevojë për përmirësim të mëtejshëm në konsolidimin e rimbursimit automatik, për të përshpejtuar procesin e njohjes së shumës së rimbursueshme. Dhe në zinxhirin administrativ komunikimi mes institucioneve që verifikojnë shumat të jetë më i shpejtë”, thotë Ahmetaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA