Sekuestrimi i heroinës, Çako përgëzon Policinë Kufitare të Durrësit

09/12/2016 00:00

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka falenderuar punonjësit e policisë në Portin e Durrësit për sekuestrimin e 30 kilogramëve heroinë mëngjesin e kësaj të premteje.

Në orët e mbrëmjes, Çako ka vizituar ambjentet e portit, ku është pritur nga drejtori i Policisë Kufitare, Bokë Bodini dhe kreu i drejtorisë lokale të policisë, Perlat Çullhaj. Gjithashtu, i pranishëm në këtë takim ka qenë edhe koloneli i Guardia di Finanza, Luca De Paolis.

Gjatë vizitës, Çako ka falenderuar punonjësit e Policisë Kufitare, ata të Antidrogës dhe punonjës të tjerë të strukturës portuale për bashkëpunimin e tyre në kuadër të parandalimit të trafiqeve.

Kapja e 30 kg heroinë është një sukses i padiskutueshëm i Policisë së Shtetit, por dhe rezultatet e deritanishme në port janë një tregues i qartë i vendosmërisë dhe seriozitetit të saj në këtë drejtim”, ka deklaruar Çako.

Çako ka folur edhe për operacionin tjetër të zhvilluar sot me Guardia di Finanza, që u finalizua me sekuestrimin e 760 kg kanabis. “Operacionet e përbashkëta kanë dhënë rezultatet e dëshiruara dhe kanë rritur besimin e Policisë së Shtetit tek partnerët”, ka thënë Çako.

Numri 1 i uniformave blu ka inkurajuar oficerët të vazhdojnë në këtë drejtim luftën kundër trafiqeve, duke u shprehur atyre mbështetjen e tij dhe të ministrit të Brendshëm.

Top Channel