Historia e Alketës dhe Yllit

03/12/2016 00:00

Kjo është historia e Alketës, një grua 48-vjeçare e cila ka lindur në një familje të madhe të përbërë nga prindërit, katër vëllezërit dhe katër motrat e saj. Alketa ka lindur në gusht të vitit 1972.

Prindërit ishin tej mase të gëzuar për ardhjen në jetë të kësaj vogëlusheje. Por vështirësitë e asaj kohe nuk u jepnin mundësi nënave të bënin kontrolle mjekësore gjatë shtatëzënise, prandaj mamaja e Alketes nuk e dinte se vajza e saj do të kishte një defekt gjenetik dhe për këtë shkak lindi me një këmbë.

Alketa ishte më e përkëdhelura në familje, e mbanin më afër se çdo fëmijë tjetër, por gjithashtu ishte një vajzë e shkathët dhe shumë e dashur e cila u rrit duke u përshtatur dhe duke përballuar këtë vështirësi që jeta i kishte vendosur.

Edhe pse ndryshe nga fëmijët e tjerë i duhej të mbante dy mjete të tjera si të vetmen mënyrë për të ecur, ajo nuk e ndjente veten të distancuar.

Alketa vendosi një protezë në moshën 10-vjeçare dhe pavarësisht vështirësive, ajo u përshtat shumë shpejt me këmbën e saj të re, edhe pse prej druri.

Por duke u rritur, edhe struktura e trupit ndryshon, prandaj proteza duhej ndërruar herë pas here dhe për shkak të gjendjes ekonomike këtë gjë Alketa nuk mund ta bënte.

Vitet kalonin dhe kishte ardhur momenti që Alketa të krijonte një familje. Kjo ishte ajo çka dëshironte më shumë në jetë edhe pse gjithmonë ka qenë dyshuese, për shkak të gjendjes në të cilën ndodhej.

Por edhe për Alketën fati kishte menduar për t’i dhënë një jetë si të tjerëve. Në moshën 20-vjeçare ajo njohu Yllin, një djalosh i cili jetonte në një fshat të afërt.

Edhe për Yllin jeta nuk kishte qenë shumë e lehtë. Ai ishte rritur në një familje me shumë vështirësi ekonomike, prandaj ishte detyruar të shkonte në Greqi për të punuar dhe për të siguruar një jetesë më të mirë. Nuk ishte e lehtë të qëndronte larg familjes, por kjo ishte një zgjedhje që shumë shqiptarë detyroheshin të bënin.

Por duke punuar, ashtu si çdo ditë tjetër, ai pësoi një aksident dhe për fat të keq doktorët u detyruan t’i prisnin këmbën.

Ylli u largua me qëllimin për të fituar një të ardhme më të mirë dhe u kthye me një trishtim të madh në zemër. Por i duhej të mësohej me këtë fakt dhe të falenderonte Zotin që ende ishte gjallë.

Në fshatin ku Alketa jetonte ishte spitali kryesor për të gjithë zonën e Mokrës së Poshtme, vendi në të cilin kryente vizitat mjekësore edhe Ylli. Fati i bashkoi dhe një vit pas njohjes ata u martuan.

Këta ishin dy njerëz që jeta i përballi me të njëjtat barriera, prandaj mundën ta kuptonin njëri-tjetrin më mirë se kushdo tjetër dhe vetëm së bashku mund të njihnin kërkesat e njëri-tjetrit.

Ëndrra e Alketës për të pasur një familje po realizohej dhe gëzimi i saj më i madh ishte ditën kur mori vesh që do të bëhej nënë. Por Alketa nuk mund të ishte e qetë derisa të shihte me sytë e saj fëmijën që po priste, derisa ta dinte që do të ishte shëndosh e mirë.

Në 17 maj të vitit 1995 erdhi në jetë fëmija i tyre i parë, një djalë që e quajtën Mariglen dhe dy vite më vonë lindi vajza e tyre, Eleni. Gëzimi në zemrat e këtyre dy prindërve që jeta i kishte ballafaquar me kaq shumë vështirësi ishte shumë i madh, sepse falë Zotit të dy fëmijët lindën të shëndetshëm dhe pa asnjë problem në trupin e tyre.

Por dihet që rritja e fëmijëve nuk do të ishte e lehtë, ata kishin nevojë për kujdes të vazhdueshëm, duhej dikush që t’i çonte në shkollë, t’i mësonte të bënin hapat e para, t’i çonte në spital sa herë që sëmureshin.

Për këtë gjë, Alketa ka pasur ndihmën e mamasë së bashkëshortit, e cila e ka ndihmuar për të mbajtur fëmijët, kujdesej për ta, i çonte në shkollë dhe gjithmonë u thoshte të bëheshin fëmijë të mbarë dhe të mos i shqetësonin prindërit.

Por, kur fëmijët ishin 8 dhe 6 vjeç, mamaja e bashkëshortit të Alketës u nda nga jeta dhe ajo mbeti e vetme për t’u kujdesur për fëmijët. Nuk kishte zgjidhje tjetër, mblodhi të gjitha forcat dhe e vetme ia doli të kujdesej për familjen e saj.

Sot këta dy vogëlushë janë rritur, Marigleni punon që të ndihmojë edhe prindërit dhe motrën e tij dhe të dy u janë pafundësisht mirënjohes dy prindërve të mrekullueshëm që i kanë rritur me kaq mund e sakrifica.

Vajza e tyre Eleni iu drejtua redaksisë së emisionit “Dua të të bëj të lumtur” për të gëzuar sado pak prindërit e saj. dhe stafi i emisionit u bëri atyre një dhuratë që ata dëshironin shumë: një bursë studimi për vajzën e tyre, një surprizë kjo që befasoi edhe vetë Elenin.

Top Channel