Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako priti në një takim kryeprokurorin e Leçes, Cataldo Motta. Sipas një njoftimi të Policisë, gjatë takimit dy zyrtarët vlerësuan bashkëpunimin “mjaft të mirë” mes institucioneve përkatëse.
Drejtori Çako theksoi angazhimin dhe përpjekjet e policisë shqiptare në parandalimin e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
“Monitorimi nga ajri i Guardia di Finanza pa limit kohor në të gjithë territorin e vendit dhe dhjetëra operacione antitrafik të përbashkëta të Policisë së Shtetit me policinë italiane tregojnë qartë për një bashkëpunim serioz e të besueshëm, duke arritur rezultate shumë të mira”, u shpreh Çako.
Nga ana e tij prokurori Motta deklaroi se “falë këtij bashkëpunimi mjaft të suksesshëm jemi sot këtu”, vijon njoftimi i Policisë së Shtetit.
Ai vlerësoi dhe falenderoi policinë shqiptare për angazhimin dhe seriozitetin e treguar në luftën kundër krimit të organizuar dhe kërkoi që ky bashkëpunim të thellohet më tej, kërkesë që u mirëprit nga Çako.
Top Channel