Apeli vendos 109 vite burg për xhihadistët

30/11/2016 00:00

Procesi ndaj nëntë të akuzuarve për terrorizëm në Apelin e Krimeve të Rënda u zhvillua nën masa të forta sigurie. Kontrollet me qen antieksploziv u ushtruan pak përpara se të shkonte ora 13:00 e ditës së enjte, orë e caktuar nga gjykata për të shpallur vendimin kundër tre ish-imamëve dhe rekrutuesve të disa shtetasve shqiptarë për luftimet në siri.

Pa hyrë ende mbështetesit e të pandehurve, kontrolle u ushtruan edhe brenda ambienteve të gjykatës.

Gjykata e Apelit për Krimet e rënda doli nga dhoma e këshillimit dhe shpalli vendimet dy orë më vonë nga ora e shpallur në kalendarin e punimeve. Gjatë kësaj kohe të pandehurit zbritën në bodrumin e gjykatës për te falur  namazin, i cili edhe për disa nga mbështetësit e të akuzuarve ishte një shkak për të braktisur verdiktin e gjykatës.

Gjykata tha në krye të vendimit se lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për Gerti Pashjan, Genc Ballën dhe Edmond Ballën dhe zbuti dënimin për Orion Reçin, të cilit iu pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar.

I gjykuar si ndihmësi i dy ish-imamëve, Balla dhe Bujar Hysa, Reçit i zbriti dënimi nga 13 vjet në 10 vjet burgim dhe pas zbritjes se një të tretës, ai dënohet me 6 vjet burg.

Gjykata tha se nga  mungesa provave, Verdi Morava shpallet i pafajshëm për akuzën e nxitjes së urrejtjes fetare, ndërkohë që deklarohet fajtor për financim të terrorizmit.

Ish-imamit Bujar Hysa i mbeti dënimi me 18 vjet burgim me një ndryshim për veprën e prodhimit të municioneve, duke u dënuar 2 muaj më tepër nga 4 muaj që kishte dhënë Shkalla e Parë.

Vendimi, i cili u lexua i paargumentuar nga relatori Gurali Brahimllari, u shoqërua prej të pandehurve me thirrjet “Qafira! Ju jeni qafira!”. Edhe imami i xhamisë së Unazës së Re që ka zëvendësuar Genci Ballën, hodhi akuza ndaj shtetit shqiptar, gjykatës dhe Komunitetit Mysliman.

“Fjala i vetëshpallur është shpikje e Komunitetit Mysliman në radhë të parë dhe e mediave pastaj. Nuk ka të bëjë fare e vetshpalljes. Nuk njihem, s’ka rëndësi”, deklaroi imami Armand Ali.

Vëllai i Astrit Tolës të pandehurit që ka marrë dënimin minimun nga gjykata shprehet i pakënaqur.

Nga 152 vite burgim që kërkoi Prokuroria e Krimeve të Rënda, Gjykata e Shkallës së parë dha 126 vite, ndërsa Apeli e la në 108 vite në total për nëntë të dënuarit.

Vendimi i Apelit për Krimet e Rënda

Gert Pashja – 17 vjet burgim
Genc Balla  – 17 vjet burgim
Bujar Hysa – 18 vjet burgim
Zeqir Imeri  – 13 vjet burgim
Orion Reçi  – 6 vjet burgim
Verdi Morava  – 10 vjet burgim
Edmond Balla  –  13 vjet burgim
Fadil Muslumani   –   10 vjet burgim
Astrit Tola  – 4 vjet e 8 muaj burg

Top Channel