Historia e Anisës dhe Elisit

26/11/2016 00:00

Na ishte një herë një vajzë e vogël e cila jetonte në një shtëpi të mbushur me ngrohtësi dhe dashuri. Ajo quhej Anisa dhe jetonte së bashku me prindërit, motrën dhe vëllain.

Anisa nuk u rrit me luks, por as nuk i mungonin gjërat e nevojshme. Që e vogël mësonte shumë dhe gjithmonë dilte me rezultate të mira. Por një ditë, kur ende nuk ishte rritur mjaftueshëm sa për të kuptuar gjithçka që ndodhte, babai i saj pësoi një aksident në punë.

Atë e çuan menjëherë në spital pa u thënë gjë fëmijëve. Anisa kuptoi gjithçka sapo pa fytyrën e mamasë së saj dhe më vonë i treguan që babai i saj kishte shkuar në qiell…

Vitet e fëmijërisë kaluan shpejt. Kjo vajzë e vogël u rrit dhe një ditë u zgjodh për të konkurruar në Ford Super Model 2008. Gjatë pushimeve verore ajo qëndronte në shtëpinë e saj dhe ndihmonte mamanë në dyqanin ushqimor që kishin. Asnjëherë nuk e ka pasur problem këtë gjë pasi pas televizionit jeta e saj vazhdonte e thjeshtë, pa taka, pa make up.

Anisa e kuptoi shumë shpejt se kjo nuk ishte çka ajo pëlqente të bënte në jetë, prandaj i vazhdoi studimet për infermiere kardio-kirurgjikale. Kështu zgjodhi atë që do të ishte drejtimi i saj në jetë.

Në një ditë korriku të vitit 2009, Anisa pa një djalosh, një djalosh me të cilin thjesht shkëmbeu një buzëqeshje. Asgjë më shumë. Por Anisa e dinte që do të takoheshin përsëri, ajo e dinte që ai ishte i duhuri. Ky djalosh kaq i veçantë për Anisën quhej Elis.

Ai ka lindur dhe është rritur në Lezhë deri në moshën 18-vjeçare. Familja e tij ka kaluar shumë vështirësi pasi humbi gjithçka në ‘97, arsye për të cilën në vitin 2002 u zhvendosën në Tiranë.

Elisi kishte plotësuar të gjitha dokumentet për të studiuar për ekonomi në Itali dhe vetëm në momentin e fundit u ndryshua çdo gjë. Ai, me idenë e babait, vazhdoi në Akademinë e Forcave Ajrore dhe duke kaluar të gjitha provat fizike e psikologjike fitoi për të studiuar për pilot helikopteri.

Ata filluan të flisnin pothuajse çdo ditë. Për Anisën shkolla ishte primare, prandaj ishte Elisi ai që gjithmonë duhet të nxirrte çdo lloj preteksti në punë vetëm për ta takuar.

Gjithmonë i bërtisnin, por ai i përgjigjej se do të martohej e se nuk do ta kalonte gjithë jetën me helikopterët. Më datë 22 shtator 2012 ata u martuan dhe më 21 janar të këtij viti u bekuan me ardhjen në jetë të vajzës së tyre, Aminës.

Ëndrra e Elisit ka qenë që të martohej në kishë, por jo gjithmonë ëndrrat bëhen realitet… të paktën kështu mendonte para se të na takonte stafin e emisionit “Dua të të bëj të lumtur”, që e realizoi diçka të tillë.

Top Channel