Elbasan, vritet me armë 19-vjeçari; familja e çon të vdekur në spital

26/11/2016 00:00

Një 19-vjeçar është vrarë me pistoletë rreth orës 16 të kësaj të shtune në fshatin Gur i Zi të Elbasanit.

Policia lokale bën me dije se është njoftuar nga banorët e fshatit, të cilët pasi dëgjuan të shtënat e armës e gjetën të pajetë në një kodër 19-vjeçarin e identifikuar si shtetasi Gazmend Sllami.

Sipas familjarëve të viktimës, ai është thirrur nga një telefonatë dhe ka dalë deri në vendin ku i kanë lënë takim autorët. Ai nuk ka thënë në shtëpi se ku po shkonte, por menjëherë pas telefonatës ka dalë.

Grupi hetimor aktualisht ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin e autorëve dhe zbulimin e shkaqeve të vrasjes.

Policia dyshon se autorët janë të njohur të viktimës, pasi ai ka pranuar t’i takojë sapo e kanë telefonuar. Policia ka nisur krehjen e zonës pasi dyshon se autorët ende fshihen mes maleve.

Nga sa bëhet e ditur nga banorët e zonës, 19-vjeçari njihej si djalë pa probleme dhe konflikte. Familja Sllami gjithashtu nuk kishte ndonjë konflikt.

Deri tani janë shoqëruar në polici tre persona të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Top Channel