Dëmtohet Bale, humbet Klasiken

24/11/2016 00:00

Reali i Madridit humbet shërbimin e Gareth Bale për sfidën e 3 dhjetorit ndaj Barcelonës në “Camp Nou”. Sulmuesi uellsian u dëmtua në kavilje gjatë ndeshjes me Sportingun e Lisbonës dhe nuk do të luajë më për pjesën e mbetur të vitit 2016.

Sipas Doktor Gonzales, mjekut të Realit të Madridit, Bale do të qëndrojë jashtë fushave të lojës për 4-6 javë dhe brenda 48 orëve do të merret vendimi nëse uellsiani do t’i nënshtrohet apo jo operacionit. Nëse kjo do të ndodhë, atëherë koha e qëndrimit të 28-vjeçarit jashtë fushave të lojës do të shkojë në 2 muaj.

Kjo do të thotë se Bale, përveç Klasikes, do të humbasë edhe sfidën e Ligës së Kampioneve me Borussia Dortmund që do të vendosë skuadrën fituese të grupit si dhe Botërorin e Klubeve, i parashikuar të zhvillohet në dhjetor.

Ky është dëmtimi i 15 i pësuar nga Gareth Bale që nga viti 2013, kur u transferua te Reali i Madridit, që do të thotë një mesatare prej rreth 4 dëmtimesh për sezon.

Top Channel