Propozim për martesë me serenatë korçare

19/11/2016 00:00

Nikolini dhe Ilda janë njohur në autobus teksa ktheheshin në qytetin e tyre të lindjes. Ilda studionte në Tiranë dhe ata u njohën krejt rastësisht nëpërmjet disa miqve të përbashkët.

Nikolini shkonte gjithmonë për ta takuar dhe pse nuk ishin lidhur akoma, por pasi u njohën më mirë me njëri-tjetrin, ata u lidhën. Ilda është 29 vjeç ndërsa Nikolini 26.

Ata jetuan të dy në Tiranë vetëm për 6 muaj, më pas ajo u largua sepse filloi punë në Korçë. Duke qenë se Nikolini ishte 3 vite më i vogël, prindërit e Ildës nuk pranonin që ata të qëndronin bashke.

Prandaj ajo u detyrua të gënjente dhe t’u thoshte se ishte ndarë nga Nikolini. Flisnin vetëm në celular në orare të caktuara dhe takoheshin rrallë herë.

Në vitin 2014 Nikolini filloi punë në Tiranë dhe Ilda vendosi t’u tregonte prindërve që nuk ishin ndarë dhe lidhja e tyre ishte serioze. Ata pranuan pasi e panë që pas kaq kohësh vazhdonin ende bashkë dhe po atë vit u fejuan.

Për Ildën ka qenë më e vështirë largësia, pasi Nikolini ndodhej në një vend shumë më të madh se Bilishti, qyteti i saj i lindjes, me një shoqëri të madhe dhe shpesh herë ka vuajtur nga qëndrimi i tij në Tiranë.

Në momentin që u zhvendosën të dy në kryeqytet, Nikolini u detyrua të ndryshonte paksa stilin e tij të jetesës, të përshtatej më shumë me jetën e re që donte të krijonte së bashku me personin e zemrës.

Ai e ka kompensuar gjithë mërzitjen, vuajtjen dhe dëshpërimin që e fejuara e tij ka ndjerë kur nuk ishin bashkë duke i bërë propozimin më të veçantë që ajo as nuk e imagjinonte, duke i treguar sa shumë e do.

Këtë gjë ai e ka bërë në mënyrë tradicionale, duke i propozuar nëpërmjet një serenate korçare, pas të cilës i ka dhënë dhe unazën. Tashmë çifti ka caktuar edhe datën e martesës, që do të bëhet vitin e ardhshëm.

Top Channel